UBT News

Lekë Dukagjini “kthehet në shtëpi”, busti i tij vendoset në Shpenadi të Prizrenit

Busti i Lekë Dukagjinit po kthehet në tokën e tij në fshatin Shpenadi të Prizrenit, falë iniciativës së Shoqatës “Lekë Dukagjini” Shpenadi–Prizren.

Sa herë që në vendlindje bëhen vepra të mira, gëzimi është i dyfishtë — njëherë për zhvillimin që sjellin, e njëherë tjetër për rikthimin e figurave historike që i takojnë trojeve arbërore.

Këtë ndjenjë e përjetova sërish kur mora vesh për angazhimin e banorëve të fshatit Shpenadi, fshatit më të afërt me vendlindjen time, Çaparcin.

Këtë vit, ata u bashkuan dhe themeluan Shoqatën “Lekë Dukagjini”.

Me përkrahjen e mërgimtarëve dhe banorëve të fshatit, ata grumbulluan fonde dhe nisën realizimin e tri projekteve të rëndësishme: vendosjen e bustit të Lekë Dukagjinit, rregullimin e varrezave të vjetra të fshatit dhe restaurimin e selisë së Shoqatës.

Ky përkushtim më frymëzoi që edhe unë të jap kontributin tim për vendlindjen.

Me këtë rast, i propozuam Shoqatës “Trojet e Arbrit” që në të njëjtën ditë të mbahet në Prizren një sesion shkencor madhështor me temën “Roli i Dukagjinasve në historinë shqiptare”.

Pas përfundimit të sesionit, më 2 nëntor 2025, pjesëmarrësit udhëtuan drejt fshatit Shpenadi, ku do të mirëpriten nga veprimtarët e Shoqatës “Lekë Dukagjini”.

Në këtë ditë të veçantë do të zhvillohen tri ngjarje madhore:

Zbulimi i bustit të Lekë Dukagjinit, vepër e mjeshtrit skulptor Fiqiri Kasa;

Bekimi i varrezave të fshatit, të cilat janë plotësisht të rinovuara falë mërgimtarëve;

Hapja zyrtare e selisë së Shoqatës “Lekë Dukagjini”.

Këto tri projekte janë dëshmi e gjallë se kur mërgimtarët dhe bashkëfshatarët e tyre në vendlindje bashkojnë forcat, përkushtimin dhe dashurinë për atdheun, rezultatet janë të prekshme dhe të lavdërueshme.

Në këtë mënyrë, Shpenadi dhe Prizreni po bëhen sërish qendra të kujtesës dhe krenarisë shqiptare. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version