Java e kaluar ka qenë mjaft e suksesshme për legjionarët kuqezi që luajnë në klubet europiane dhe përtej. Shumë prej tyre kontribuan me gola dhe asiste, duke treguar paraqitje të shkëlqyera në fushë.
Qazim Laçi shënoi një debutim të shkëlqyer me skuadrën e tij, Sparta Prague, në UEFA Champions League. Ai e filloi ndeshjen si titullar kundër Salzburg dhe realizoi një gol të bukur në minutën e 58, duke ndihmuar ekipin e tij të fitonte 3-0. Laçi arriti të zhgënjente dy mbrojtësit kundërshtarë me një lëvizje të shkëlqyer për të dërguar topin në rrjetë.
Një tjetër paraqitje mbresëlënëse erdhi nga Jasir Asani, i cili në ndeshjen e tij të parë në Championsin e Azisë realizoi tre gola spektakolarë për Gwangju ndaj Yokohama F. Marinos. Ai zhbllokoi takimin në minutën e 2-të dhe vijoi të shënonte edhe në minutat e 55 dhe 90+2. Përveç golave, Asani dha një asist në minutën e 68 për golin e Mikeltadze.
Myrto Uzuni gjithashtu shënoi në barazimin 2-2 të Granada ndaj Malagas, duke realizuar golin e tij të dytë radhazi. Ndërkohë, Taulant Seferi ishte vendimtar në ndeshjen e tij të parë si titullar me Bodrumspor, duke shënuar golin e fitores 1-0 ndaj Hatayspor dhe duke u shpallur lojtari i ndeshjes me notën 8.1.
Nedim Bajrami dha një asist në fitoren 3-0 të Rangers ndaj Dundee FC, ndërsa Ylber Ramadani asistoi për golin e parë të Lecce në barazimin 2-2 me Parma.
Titullarë këtë javë ishin gjithashtu Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Mirlind Daku dhe Arbnor Muja, ndërsa Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Arbër Hoxha dhe Sebastjan Spahiu kontribuan si zëvendësues. Këto paraqitje pozitive tregojnë potencialin e madh të legjionarëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare./UBTNews/