UBT News

​Legjenda e Barcelonës njofton pensionimin nga futbolli

Mesfushori i Inter Miami, Sergio Busquets, ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga futbolli në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund një karriere gati 20-vjeçare.

37-vjeçari e bëri njoftimin përmes një videoje në Instagram, ku falënderoi Barcelonën, kombëtaren spanjolle, Inter Miamin, shokët e skuadrës, tifozët dhe familjen e tij.

“Ndjej se ka ardhur koha t’i them lamtumirë karrierës sime si futbollist profesionist. “Kanë kaluar pothuajse 20 vjet duke shijuar këtë histori të pabesueshme për të cilën gjithmonë kam ëndërruar”, tha Busquets.

Busquets ishte një figurë kyçe te Barcelona për 14 vite, me mbi 700 paraqitje dhe 32 trofe të fituar, përfshirë 9 tituj të La Ligës dhe 3 Liga të Kampionëve.

Me Spanjën, ai regjistroi 143 ndeshje dhe fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Euro 2012.

“Nuk e di se sa gjatë do të luajë Busi, por mendoj se ai është një nga mesfushorët më të mirë në histori… Shpresojmë që ai do të na ndihmojë në fazën eliminatore sepse është një lojtar kyç”, tha trajneri i Inter Miami, Javier Mascherano.

Busquets, i njohur për inteligjencën taktike dhe pasimet e sakta, është aktualisht lojtari me më shumë minuta të luajtura për Inter Miami këtë sezon./S.K/KP/

 

Exit mobile version