UBT News

Ledia Xhoga sjell romanin e saj të suksesshëm pranë lexuesve kosovarë

Në edicionin e radhës të programit “Në bisedë / In Conversation”, Heritage Space mirëpret për herë të parë në Prishtinë shkrimtaren dhe dramaturgen shqiptaro-amerikane Ledia Xhoga.

Ajo do të zhvillojë një diskutim me shkrimtaren dhe përkthyesen Doruntina Vinca, i cili do të fokusohet në romanin e saj të parë, “Keqkuptimi”, i nominuar në listën e gjatë për Booker Prize 2025.

Romani “Keqkuptimi” trajton trashëgimitë e errëta familjare dhe të vendlindjes, si dhe kufirin delikat mes dhembshurisë dhe vetëmbrojtjes.

Në qendër të ngjarjes është një përkthyese shqiptare në Nju Jork, qnjë përfshihet në historinë e një të mbijetuarit të torturave në Kosovë.

Duke u përballur me makthet e klientit e përpjekjet për t’i ndihmuar të tjerët, nis të përjetojë ringjalljen e kujtimeve të mohuara prej kohësh.

Ledia Xhoga, e lindur në Tiranë dhe aktualisht me banim në Bruklin dhe Catskills, ka fituar me këtë roman New York City Book Award, ndërsa është finaliste edhe për Center for Fiction First Novel Prize. Shkrimet e saj janë botuar në platforma prestigjioze si Electric Literature, Lit Hub, Brooklyn Rail, Large Hearted Boy, Intrepid Times, Hobart dhe revista të tjera letrare.

Doruntina Vinca—shkrimtare, hulumtuese dhe përkthyese nga Prishtina, me bazë në Tiranë notohet për punën e saj mbi gjuhën, letërsinë feministe dhe mënyrat se si teksti krijon forma të reja të shpërndarjes së dijes.

Ngjarja organizohet në kuadër të platformës Heritage Space, e zbatuar nga CHwB Kosova, e mbështetur nga Qeveria Suedeze, duke ofruar mundësi të veçantë për publikun me një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqiptaro-amerikane. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version