Futbollisti nga Ferizaji, Leard Sadriu, i cili është lojtar i Shkëndijës së Maqedonisë, në sezonin 2021/2022 u huazua nga klubi shqiptar, Skënderbeu, dhe me mbarimin e sezonit e përfundoi edhe Sadriu aventurën aty.
“Te Skënderbeu shpreha dëshirën personalisht që të jem si formë huazimi për një sezon, duke ditur se është ekipi shqiptar më i suksesshëm dhe ishte knaqësi të isha pjesë e kësaj ekipe, dhe mund të them se ishte eksperiencë shumë e mirë pavarësisht që nuk arritëm të shpëtonim në ligë këtë sezon. Pra nga sezona tjetër nuk do jem më pjesë e Skënderbeut”, tha ai.
I pyetur për të ardhmen se në cilën skuadër do të kemi mundësinë ta shohim Sadriun, ai u përgjigj: “Unë kam edhe një vit kontratë me klubin e Shkëndijës, por ende nuk e di se ku do të vazhdoj sezonën tjetër”.
Sadriu ka veshur edhe fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, në kategorinë e njomakëve, U21. Tani që mbushi 21 vite, pret që të ardhmen e afërt të luajë edhe për Përfaqësuesen A të Kosovës.
“Me Përfaqësuesen U21, kam qenë në të gjitha ndeshjet titullar dhe kjo më bën që të pres sa më shpejtë kalimin te Përfaqësuesja A. Një nga ndjenja që çdo futbollist do kisha dëshirë ta provonte është kur përfaqëson shtetin tënd , një ndjenjë që nuk pershkruhet”, theksoi Sadriu.
Ndeshjet që Sadriu i veçon janë ato me Përfaqësuesen U21, e po ashtu ndeshjen kur u shpall kampion me klubin e Shkëndijes si dhe finalën e Kupës me Skënderbeun.
Në fund ai dha një mesazh për futbolldashësit.
“Mesazhi im është që çdo i ri që ëndërron me qenë një futbollist, të punoj fort deri sa të arrin qëllimin që ka, sepse me punë dhe përkushtim do të arrihet gjithmonë“, përfundoi ai./UBTNews/