Paraqitje të qëndrueshme, nota të larta dhe tashmë edhe shiriti i kapitenit. Leard Sadriu po kalon një periudhë të mirë te FC Arges Pitesti dhe është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës në Superligën e Rumanisë.
Mbrojtësi kosovar është në sezonin e dytë me klubin rumun dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar gjithnjë e më shumë besimin e trajnerit dhe bashkëlojtarëve. Paraqitjet e tij në repartin defensiv e kanë bërë një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa së fundmi atij i është besuar edhe një përgjegjësi e veçantë – shiriti i kapitenit.
Forma e Sadriut në ndeshjet e fundit tregon qartë qëndrueshmërinë e tij. Në pesë paraqitjet e fundit, reprezentuesi i Kosovës ka marrë nota të larta nga “Sofascore”: 7.4 ndaj Petrolul Ploiestit, 7.0 ndaj Csikszeredas, 7.0 ndaj Universitatea Craiovas, 7.1 ndaj Farul Constantas dhe 7.7 ndaj FC Voluntarit.
Kështu, Sadriu ka një mesatare prej 7.24 në këto pesë ndeshje, duke dëshmuar vazhdimësinë e tij dhe nivelin e mirë të paraqitjeve.
Edhe rezultatet e FC Arges në këto përballje flasin në favor të mbrojtësit kosovar. Me Sadriun në fushë, skuadra ka regjistruar tri fitore, një barazim dhe vetëm një humbje.
Performancat e mira i kanë sjellë edhe një vlerësim të rëndësishëm nga klubi. Në ndeshjen e fundit, Sadriu ka bartur shiritin e kapitenit, duke marrë përsipër një prej përgjegjësive më të mëdha që mund t’i besohet një futbollisti.
Ky rol nuk është vetëm simbolik. Sadriu po dëshmon se mund të jetë lider edhe përmes paraqitjeve, qetësisë dhe sigurisë që sjell në mbrojtje. FC Arges e ka të regjistruar atë si mbrojtës me fanellën numër 3.
Arritja e tij merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Rumania nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht kësaj, Sadriu po arrin të ndërtojë një pozitë të rëndësishme në futbollin rumun dhe tashmë është bërë një prej liderëve të klubit.
Gjatë afatit kalimtar të verës, mbrojtësi kosovar kishte pasur interesim dhe oferta nga klube të tjera, por FC Arges nuk ishte e gatshme ta linte të largohej lehtësisht. Klubi vendosi ta mbajë Sadriun, ndërsa paraqitjet e fundit po tregojnë se ky vendim mund të jetë duke u shpërblyer.
Nga një futbollist që kërkonte të konsolidohej në futbollin rumun, Sadriu tashmë është kthyer në një prej emrave kryesorë të FC Arges. Paraqitjet e mira, notat e larta dhe shiriti i kapitenit janë tregues të qartë të rritjes së tij.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, afati kalimtar i verës së ardhshme mund të jetë një mundësi për një hap edhe më të madh në karrierë, me interesimin nga kampionatet më të forta evropiane që pritet të rritet.
D.L
