UBT News

LDK me Kryesi të re: Abdixhiku prezanton ekipin e “riorganizimit të thellë”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar zyrtarisht emërimin e përbërjes së re të Kryesisë së partisë. Ky vendim sipas komunikatës për media, vjen si rezultat i autorizimeve të marra nga Kuvendi i LDK-së i mbajtur më 31 janar, i cili kërkoi një riorganizim të thellë dhe strukturim të ri politik të subjektit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një procesi të konsultimeve të brendshme, ka përzgjedhur një ekip që, sipas komunikatës, ndërthur përvojën e gjatë institucionale me energjinë e re. Ky ndryshim synon forcimin e organizimit të brendshëm, rritjen e efikasitetit në vendimmarrje dhe përbashkimin e të gjitha niveleve partiake.

Në udhëheqjen e kryetarit të LDK-së vazhdon Lumir Abdixhiku,  ndërsa Kryesia e re përbëhet nga figura të njohura politike, drejtues degësh dhe ekspertë të fushave të ndryshme: Alban Zogaj, Alush Gashi, Anton Quni, Arbër Ismajli, Ardian Shala, Arjeta Salihu Abazi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Bexhet Xheladini, Doarsa Kica Xhelili, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ermal Sadiku, Fadil Hadergjonaj, Festim Kabashi, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami, Ilir Ferati, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Paris Guri, Ruzhdi Shehu, Shefqet Shehu, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Sokol Haliti, Sokol Havolli, Ukë Rugova, Visar Azemi dhe Xhafer Gashi.

LDK bën të ditur se kjo përbërje është pjesë e një faze të ndërmjetme drejt konsolidimit të plotë të strukturave. Një fokus i veçantë i është dhënë përfaqësimit të drejtpërdrejtë të drejtuesve të degëve, si bartës të legjitimitetit nga baza. Gjithashtu, u njoftua se në ditët në vijim, Kryesia do të plotësohet edhe me përfaqësues nga degët e mëdha që aktualisht nuk janë të përfshira.

Si pjesë e këtij riorganizimi, kryetari Abdixhiku pritet të propozojë së shpejti edhe krijimin e një Trupe Këshillëdhënëse. Kjo trupë do të përbëhet nga figura të shquara me përvojë të lartë profesionale dhe institucionale, për të ndihmuar në ndërtimin e një alternative serioze politike për qytetarët e Republikës.

Exit mobile version