Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ngritur një shqetësim lidhur me sistemin e faturimit të energjisë elektrike, në seancën duke kërkuar një hetim të pavarur dhe kompensim për konsumatorët.
Sipas verifikimeve të bëra nga vetë kjo parti, rezulton se mbi 87% e njehsorëve elektrikë në vend nuk e masin kohën saktë, gjë që sipas tyre ka çuar në faturime të pasakta për shumë familje.
Përfaqësuesit e LDK-së theksuan se në një situatë ku sistemi i faturimit është vënë në pikëpyetje, diskutimimi për rritjen e mëtejshme të çmimit të rrymës duhet të mbetet jashtë agjendës.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, vuri në dukje se ky problem prek drejtpërdrejt buxhetin e secilës familje dhe kërkoi përgjegjësi nga institucionet mbikëqyrëse.
“Është padrejtësi që po bëhet për muaj apo vite me radhë… Qytetarët janë mashtruar. Kjo është e vërteta e hidhur. Teksa kemi dëgjuar Qeverinë duke u bërë thirrje qytetarëve ta kursejnë rrymën, të presin të shpenzojnë prej orës 22:00 me të lirën, ne sot kemi parë që shumica e njehsorëve nuk e kanë llogarisin saktë shpenzimin e energjisë dhe kjo çon në faturim më të shtrenjtë për secilën familje të Kosovës”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu kërkoi një auditim të plotë dhe ndërhyrjen e Prokurorisë, duke shtuar se “si është e mundur që një problem të jetë kaq i hapur dhe Ministria e Industrisë të mos ketë vepruar me kohë? Si është e mundur që qytetarët të kenë paguar fatura të padrejta me keqllogaritje dhe Ministria e institucionet e tjera nuk janë thirrur për përgjegjësi? Përgjegjësia është e qartë dhe nuk mund të shmanget”.
