UBT News

LDK-ja mbështet zyrtarisht Bekim Sejdiun për President, u bën thirrje deputetëve për votim

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht të mbështesë kandidaturën e profesorit Bekim Sejdiu për President të Republikës së Kosovës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë, në përputhje me procedurat statutare dhe autorizimet e dhëna nga Kuvendi i partisë.

Përmes një deklarate për media, LDK-ja bëri të ditur se marrëveshja e miratuar politike synon përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit dhe parandalimin e një krize të re institucionale në vend.

Subjekti opozitar vlerësoi se përvoja e gjatë e Sejdiut në fushën e së drejtës kushtetuese dhe në diplomaci e bën atë një kandidat të dinjitetshëm që garanton ushtrim të pavarur e të paanshëm të detyrës. Kryesia e LDK-së i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin këtë propozim gjatë votimit. /E.A/

Exit mobile version