Rënia e eksportit, rritja e inflacionit dhe deficitit tregtar e sanksionet, po konsiderohen si dështimet më të mëdha të qeverisë Kurti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Sipas kësaj partie, kjo qeveri është sinonim i qeverisjes me aftësi, por që prapë qëndron krenare.
Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi tha se paaftësia e qeverisë për të menaxhuar po u kushton “xhepave të qytetarëve”. Ai shtoi se kjo qeveria ka dështuar me përkrahje të eksporteve, të përkrahjes së prodhimit vendor e të sektorit privat.
“Kjo qeveri është sinonim i qeverisjes me paaftësi, por prapë duke qëndruar krenare… Në vitin e parë të punës si qeverisje inflacioni ka qenë 3.2 për qind, ka qenë në cikël ekonomik i cili sapo ishte dal nga pandemia, rekord apo shifra dy shifrore në vitin 2022 dhe shifër prapë shqetësuese e vitit 2023 11.6 për qind, 4.9 për qind. Ne i kemi përkthyer edhe sa po na kushton në xhep. Sa thellë ka hyrë në xhep paaftësia e qeverisë për tu ballafaquar me një krizë e cila edhe mund të menaxhohej. Inflacion ishte i pashmangshëm për shkak të ndryshimeve në tregun global… Të njëjtën kohë ndikimi i inflacionit tek xhepat e qytetarëve do të ishte i shmangshëm nëse qeveria do të vepronte me kompetencë dhe nëse do të ishte e aftë dhe me vullnet politik për t’i adresuar këto çështje”, tha Rukiqi.
Rukiqi, derisa kritikoi Qeverinë Kurti për paaftësi, theksoi se asnjëherë nuk ka ndodhur brenda një periudhe trevjeçare të ketë 56.5 për qind rritje të deficitit tregtar. Ai shtoi se nga viti 2022 në vitin 2023, eksporti në Kosovë ka rënë për 101 milionë euro më pak.
Ndër dështimet që Rukiqi përmendi gjatë kësaj qeverisjes së Kurtit, ishin edhe sanksionet, për çka tha se kanë një impakt të drejtpërdrejtë financiar në vlerë qindra miliona euro e projekte të rëndësishme.
“Asnjëherë nuk ka ndodhur brenda një periudhe trevjeçare të ketë 56.5 për qind rritje të deficitit tregtar, ka qenë në vlera 3-4 herë më të ulëta në përqindje se kjo por jo 56.5 për qind. E kanë marrë bilanci tregtar me 2. 8 miliardë euro, në vitin e tretë ka përfunduar me 5 miliardë euro. Dështim në përkrahje të eksporteve, dështim me përkrahje të prodhimit vendor, dështim me përkrahje të sektorit privat. Pa këto shtylla me ndihma dhe me lëmoshë nuk mbahet ekonomia… Nga viti 2022 në vitin 2023 kemi plot 101 milionë euro më pak eksport. Komplet 8-vjeçarin e fundit Kosova ka pasur çdo vit rritje të eksporteve, simbolike por të rëndësishme, këtë vit janë plot 101 milionë euro më pak eksport dhe krahas asaj se qeveria fare nuk e ka përkrahur sektorin privat ose të shfrytëzojë momentumin që të rritë eksporte dhe të rritë prodhimin e brendshëm e njëjta qeveri ka treguar paaftësi të jashtëzakonshme edhe në politikën e jashtme edhe në qasjen me aleatë. Ne edhe sot kur po flasim jemi nën sanksione të cilat e kanë një impakt të drejtpërdrejtë financiar qindra miliona euro, dhe projekte të rëndësishme”, potencoi Rukiqi.
Përveç këtyre, anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, tha se “si shkak i paaftësisë së qeverisë, e normës së inflacionit ka ndikuar që 100 euro të vitit 2020, tani tani të kenë vlerën 81.65 euro”. Ai potencoi se përqindjen më të madhe të pagës, qytetarëve u duhet ta shpenzojnë për blerjen e gjërave bazike.