UBT News

LDK: Drejtësia nuk mund të jetë selektive, ajo duhet të vlejë për të gjithë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar përmes një komunikate lidhur me qëndrimin e saj ndaj Rezolutës së diskutuar në Kuvend, duke theksuar se institucionet e vendit kanë përgjegjësi historike dhe politike për të trajtuar drejtësinë në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Në komunikatë thuhet se partia konsideron se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të mbajë një qëndrim të unifikuar dhe të përgjegjshëm për çështjet e drejtësisë, duke shmangur qasjet selektive.

Sipas LDK-së, “Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive”.

LDK rithekson mbështetjen për parimin e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm për çdo qytetar, në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare. Në komunikatë theksohet se ky parim përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit ligjor dhe orientimit euro-atlantik të vendit, duke nënvizuar se “LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës”.

Megjithatë, partia vlerëson se drejtësia nuk mund të trajtohet në mënyrë të fragmentuar. Sipas saj, mungesa e përfshirjes së obligimit për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë ato politike, e ka bërë Rezolutën të paplotë.

“Drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Deputetët e LDK-së kishin kërkuar që Rezoluta të përfshinte qartë obligimin institucional për trajtimin e të gjitha rasteve të pazbardhura, duke e cilësuar këtë si detyrim moral dhe shtetëror. “Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës”, thekson komunikata.

Sipas partisë, refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e ka lënë dokumentin me mangësi thelbësore, prandaj Grupi Parlamentar i saj nuk ka pranuar të mbështesë një qasje që e konsideron të njëanshme. Në këtë frymë, LDK thekson se qëndrimi i saj është parimor dhe aktiv: “LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë”.

Në përmbyllje, LDK shpreh zotimin se do të vazhdojë të angazhohet për drejtësi të barabartë dhe procese të drejta për të gjithë, duke kërkuar që institucionet të përballen me të vërtetën në tërësi dhe jo në mënyrë selektive.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, përfundon komunikata.

Kujtojmë, se LDK dje (12.02.2026) nuk ka votuar Rezolutën për Dhomat e Specializuar dhe Zyrën e Prokurorit Special.

Mirëpo, kjo rezolutë kaloi me mbështetjen e 90 deputetëve të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës

 

 

 

 

Exit mobile version