Largimi i Maurizio Sarrit nga Lazio tashmë është zyrtarizuar edhe nga klubi bardhekaltër. Dorëheqja e trajnerit është pranuar nga presidenti Lotito, i cili për momentin ka bërë një zgjidhje të përkohshme, duke ia besuar drejtimin e skuadrës ndihmësit Giovanni Martusciello, i cili më parë ka punuar në këtë rol edhe tek Empoli, Interi e Juventusi. Ky është njoftimi i Lazios.
“S.S. Lazio njofton se Maurizio Sarri ka dhënë dorëheqjen si trajner i ekipit të parë. Kompania falënderon trajnerin për objektivat e arritura dhe për punën e bërë, duke i uruar fat në aspektin njerëzor dhe profesional. Në të njëjtën kohë, klubi njofton se ka vendosur t’ia besojë drejtimin teknik Giovanni Martusciellos”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kjo zgjidhje është e përkohshme, pasi presidenti Lotito duhet të gjejë një emër të përshtatshëm për një projekt afatgjatë. Megjithatë me shumë gjasë Martusciello do ta mbajë këtë rol deri në fund të sezonit./UBTNews/