Lauretja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, ka nisur grevën e urisë në shenjë proteste kundër mungesës së kujdesit mjekësor pasi zyrtarët e burgut nuk ia mundësuan trajtimin e nevojshëm mjekësor, kjo për shkak se nuk u shfaq me mbulesë në kokë.
Përmes një deklarate familja e saj njoftoi se Mohammadi duhet urgjentisht të transferohet në qendrën e zemrës dhe mushkërive për kujdes mjekësor. Madje u bë një javë qëkur po refuzojnë t’i japin ndihmën mjekësore që i nevojitet.
“Nargesi hyri sot në grevë urie për të protestuar për dy gjëra: Politika e Republikës Islamike për vonimin dhe neglizhimin e kujdesit mjekësor për të burgosurit e sëmurë. Politika e “vdekjes” ose “hixhabit të detyrueshëm” për gratë iraniane”, thuhet në deklaratë. “Republika Islamike është përgjegjëse për çdo gjë që i ndodh Nargesit tonë të dashur”.
Avokuesja e lëvizjes “Gratë, Jeta, Liria”, u nderua me çmimin Nobel për Paqe më 6 tetor./UBTNews/