Xhudistja kosovare Laura Fazliu ka përfunduar garën pa arritur të afrohet te zona e medaljeve në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Tbilisi.
Fazliu e nisi garën nga xhiroja e dytë e kategorisë deri në 63 kilogramë, pasi në rundin e parë ishte e lirë. Në përballjen e saj të parë, ajo u ndesh me sllovenen Kaja Kajzer, e cila u tregua më e saktë dhe më dominuese në tatami.
Kajzer kaloi në epërsi që në fillim me “Yuko”, ndërsa më pas e përmbylli luftën me “Ippon”, duke mos i lënë shumë hapësirë Fazliut për reagim.
Nga xhudistja kosovare pritej një paraqitje më e fortë dhe luftë për medalje, por këtë herë ajo nuk arriti të gjejë ritmin e duhur dhe e mbylli garën më herët se sa pritej.
