Agjenti i Paul Pogbas, Mino Raiola ka dhënë detaje mbi situatën e së ardhmes së mesfushorit duke deklaruar që “muaji dhjetor është muaji i ëndrrave”.
Pogba është duke iu afruar gjashtë muajve të fundit të kontratës së tij me United, ku këta të fundit po e kanë të vështirë ta bindin yllin francez të rinovojë kontratën.
Raiola gjithmonë ka shfrytëzuar rastin që të flas mbi të ardhmen e lojtarëve të tij, dhe tani ka folur mbi atë të Pogbas duke e lënë të hapur mundësinë e largimit të klientit të tij nga “Old Trafford”.
“Muaji dhjetor është muaji i ëndrrave, dhe unë nuk mund t’i ndaloj ëndrrat, por është më mirë që mos të flasim për Pogban. Nëse ndonjë ish-lojtar i Manchester United nuk flet për mua dhe Pogban, ata nuk do të punojnë më”, tha Raiola.
“Është shumë herët që të flas për kontratën e Paul Pogbas. Le të shohim se çdo të ndodhë. Nuk mund ta ndalojë askënd që të ëndërroj”, shtoi agjenti i Pogbas.
Është spekuluar për një rikthim të mundshëm të Pogbas te Juventusi gjatë javëve të fundit, ku gjigandi italian dëshiron me çdo kusht ta përforcojë mesfushën pas startit jo të mirë të këtij sezoni.
Këtë sezon, Pogba ka arritur të bëjë 13 paraqitje për skuadrën e Manchester United, duke regjistruar shtatë asistime mbi emrin e tij.