Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta i është drejtuar sot mediave përmes një konference, ku ka folur për situatën momentale të sulmuesit anësor, Ousmane Dembele.
Në këtë afat kalimtar të transferimeve të janarit, Dembele nuk arriti të pajtohej me kushtet e kontratës së re të ofruar nga Barcelona, ndërsa kjo e fundit i dha ultimatum që ose të nënshkruajë kontratën e re ose të largohet nga klubi.
Deri në orët e fundit të kësaj merkatoje, Dembele ishte në bisedime me shumë klube evropiane, por që asnjëra nuk mund të arrinte marrëveshje me Barcelonën.
Tani rreth kësaj situate ka folur Laporta, duke treguar se trajneri Xavi do ta vendosë nëse lojtari do të paraqitet këtë sezon apo jo.
“Ousmane Dembele nuk do të jetë me ne sezonin e ardhshëm, ndjej se ka një marrëveshje me një klub tjetër, kështu që do të jetë e vështirë ta shohim atë duke luajtur përsëri me Barçën. Sigurisht Xavi do të vendos nëse Dembele do të luajë përsëri apo jo në këtë sezon”, shtoi presidenti i Barcelonës.
Sipas spekulimeve që po qarkullojnë, Ousmane Dembele pritet që në fund të këtij sezoni ta vazhdojë të ardhmen e tij në Premier Ligën angleze.