Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka bërë një deklaratë të fuqishme në lidhje me talentin e jashtëzakonshëm të Lamine Yamal, duke e krahasuar atë me Lionel Messin jo vetëm për cilësitë teknike, por edhe për karakterin e tij të veçantë.
Në një prononcim për mediat, Laporta u shpreh: “Lamine Yamal ka një personalitet shumë të fortë, njësoj siç kishte edhe Messi në kohën e tij. Ai nuk është thjesht një lojtar i talentuar, por është i rrallë, një prej atyre futbollistëve që lindin rrallëherë.”
Presidenti katalanas vazhdoi me vlerësimet duke theksuar nivelin elitar në të cilin tashmë ndodhet adoleshenti spanjoll:
“Yamal është një gjeni i vërtetë i futbollit. Ka arritur një nivel shumë të lartë për moshën që ka dhe kjo e bën edhe më të jashtëzakonshëm. Ne te Barcelona jemi shumë krenarë që kemi një lojtar si ai në radhët tona.”
Lamine Yamal, vetëm 18 vjeç, ka shpërthyer me paraqitjet e tij për Barçën dhe përfaqësuesen e Spanjës, duke u bërë një ndër emrat më premtues në futbollin botëror. Krahasimi me Messin nga vetë presidenti Laporta vetëm sa e forcon imazhin e tij si trashëgimtar potencial i legjendës argjentinase në “Camp Nou”.