UBT News

Laporta konfirmon se ka hequr dorë nga tentativa për blerjen e Lewandowskit

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, beson se klubi i tij nuk ka gjasa të nënshkruajë me sulmuesin e Bayern Munichut, Robert Lewandowski në afatin kalimtar të kësaj vere.

Agjenti i 33-vjeçarit zbuloi në fillim të kësaj jave se klienti i tij ka shprehur dëshirën për t’u bashkuar me gjigantët katalanas dhe të përmbushë një ëndërr të jetës së tij për t’u transferuar në “Camp Nou”.

Lewandowski së shpejti do të hyjë në vitin e fundit të kontratës së tij në “Allianz Arena”, por sulmuesi veteran nuk ka ndërmend të rinovojë marrëveshjen e tij aktuale, që do të thotë se Bayerni mund të humbasë polakun me parametra zero në verën e vitit 2023.

Një raport kishte sugjeruar se Barça ka paraqitur një ofertë prej 32 milionë euro për Lewandowskin, ndërsa një tjetër pretendon se Bayerni nuk do të dëgjojë ofertat nën vlerësimin e tyre prej 50 milionë euro për sulmuesin, përcjellë KosovaPress.

Pavarësisht se kanë konfirmuar interesimin e tyre për nënshkrimin e Lewandowskit këtë verë, Laporta pret që sulmuesi të qëndrojë në Bavari ndërsa ka ende një vit të mbetur në kontratën e tij.

“Ai ka një vit të mbetur në kontratën e tij me Bayern Munichun dhe kjo është situata”, u tha Laporta gazetarëve.

“Nuk mund të them më shumë se kaq. Ne do t’i lëmë të gjithë të vazhdojnë me punën e tyre. Ai është një lojtar me cilësi të lartë, një lojtar që na pëlqen shumë gjithashtu, por ai ka një kontratë”, shtoi ai.

Lewandowski, i cili ka qenë me Bayernin për tetë sezonet e fundit, ka shënuar 344 gola dhe 72 asistime në 374 paraqitje për klubin në të gjitha garat.

Exit mobile version