Nga sot Sistemi Prokurorial i Kosovës do të ketë 11 webfaqe për secilën prokurori, duke filluar nga Zyra e Prokurorit të shtetit.
Kryeprokurori i shtetit, Besim Kelmendi është shprehur se kjo për secilin qytetarë do të jetë një rrugë të mirë që secili të ketë informata më të plota në kohë reale.
“Kishim deri tash një mënyrë të qasjes së punës sonë por deshëm të avancohemi dhe të ndajmë sa më shumë informacione për ata që janë të interesuar. Dua t’i bëjë ftesë të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë webportal për shkak se puna jonë është e kufizuar për t’u transmetuar, për t’u bërë publike për qytetarët. Ata qytetarë shoqëria civile dhe mediat do të kuptojnë më tepër për punën që bënë prokuroria e shtetit. Do të jetë një rrugë e mirë që secili qytetarë të ketë informata më të plota në kohë reale në mënyrë që imazhi i sistemit prokurorial të avancohet”, është shprehur Kelmendi.
Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj ka thënë se ky webportal është një dëshmi për qasje të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe prokurorit të shtetit se janë të përkushtuar për të avancuar dhe fuqizuar informimin dhe komunikimin me publikun.
“Webportali i ri është një tregues si një dëshmi si qasje të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Prokurori i shtetit janë të përkushtuar për të avancuar dhe fuqizuar tërësisht informimin dhe komunikimin me publikun. Një shërbim cilësor i ofrimit të informacionit dhe një komunikim i afërt me publikun është parakushti themelor për suksesin e cilido proces institucional. Ky webportal përmban risi në qasje dhe shumë informacione dhe është punuar në bazë të standardeve më të mira. Është përpunuar në përputhshmëri me nevojat e publikut”, ka thënë Hajdaraj.
Po ashtu, përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros ka thënë se zhvillimi i këtij portali është një hap i rëndësishëm drejtë një sistemi prokurorial më transparent dhe llogaridhënës.
“Integriteti dhe transparenca janë kyçe për besimin e popullit. Po lansojmë një portal të ndryshuar të sistemit prokurorial. Nuk është vetëm platformë por edhe urë lidhëse që lidh sistemin prokurorial me njerëzit. Portali do të ofroj statistika në kohë reale në çështje gjyqësore. Zhvillimi i këtij portali, është hap i rëndësishëm drejtë një sistemi prokurorial më transparentë dhe llogaridhënës”, ka shtuar Queiros.
Ky portal është mbështetur financiarisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për zhvillim UNDP në Kosovë.