Donald Sutherland, një ikonë e kinematografisë me një karrierë që përfshiu gjashtë dekada dhe mbi 190 filma e shfaqje televizive, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare në Miami pas një sëmundje të gjatë. I njohur për rolet e tij në filma si “Don’t Look Now,” “MAS*H,” dhe “The Hunger Games,” Sutherland la pas një trashëgimi të pasur artistike.
Djali i tij, aktori Kiefer Sutherland, konfirmoi lajmin në një postim prekës, duke e përshkruar babain e tij si një nga aktorët më të rëndësishëm të historisë së filmit. “Ai e donte atë që bëri dhe bëri atë që donte,” shkroi Kiefer.
Karriera e Sutherland filloi në Londër në vitet 1960 dhe u rrit shpejt me filma si “The Dirty Dozen” dhe “Klute.” Ai arriti kulmin në vitet 1970 me role në filma si “Don’t Look Now” dhe “Invasion of the Body Snatchers.” Edhe pse nuk fitoi kurrë një Oscar konvencional, ai mori dy Golden Globe dhe një Oscar nderi në vitin 2017.
Sutherland ishte gjithashtu një zë i fortë kundër luftës së Vietnamit dhe një aktivist i përkushtuar. Në vitin 2012, ai rifitoi famën ndërkombëtare me rolin e presidentit Snow në “The Hunger Games.”
Pavarësisht se nuk arriti një Oscar konvencional, ai mbetet një nga aktorët më të respektuar dhe të dashur të kinematografisë, një figurë e jashtëzakonshme që la një gjurmë të pashlyeshme në historinë e filmit.
Mësohet se në nëntor, kujtimet postume të Donald Sutherland, të titulluara “Made Up, But Still True,” do të publikohen. Libri premton të ofrojë “një rrëfim të pafiltruar të jetës së tij, thellësisht depërtues, emocional dhe shpesh shumë qesharak.”
Helen Mirren, e cila luajti me Sutherland në filmin “The Leisure Seeker” të vitit 2017, e përshkroi atë si një nga aktorët më të zgjuar me të cilin ajo ka punuar ndonjëherë. Mirren tha se Sutherland kishte një tru kërkues dhe njohuri të madhe në një shumëllojshmëri të gjerë temash, të kombinuar me ndjeshmëri të thellë dhe seriozitet për profesionin e tij, duke e bërë atë një legjendë të vërtetë të filmit.
Jane Fonda, bashkë-ylli i Sutherland në “Klute” dhe “Steelyard Blues,” e kujtoi atë si një aktor brilant dhe një njeri kompleks. Ajo ndau kujtime të aventurave të tyre së bashku, përfshirë turneun kundër luftës së Vietnamit me FTA Show në vitin 1971. Fonda shprehu dhimbjen e saj për humbjen e tij.
Ron Howard, regjisori i dramës aksion “Backdraft,” e quajti Sutherland “një nga aktorët më inteligjentë, më interesantë dhe më tërheqës të filmit të të gjitha kohërave.”
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, e quajti Sutherland “një artist të madh kanadez.” Michael Douglas, bashkë-ylli i Sutherland në “Disclosure,” ndau një foto të tyre së bashku dhe e përshkroi atë si “një njeri të bukur, të talentuar dhe kurioz.”
Regjisori Edgar Wright bëri homazhe në një postim online, duke e përshkruar Sutherland si një prani gjithmonë magjepsëse në ekran, duke e cilësuar atë si një aktor qesharak, lakonik, por edhe intensiv dhe dramatik në shumë filma të paharrueshëm.
Sutherland u martua tre herë: me Lois Hardwick nga 1959 deri në 1966, Shirley Douglas nga 1966 deri në 1970, dhe Francine Racette që nga viti 1972./UBTNews/
Nga Guardian, në përkthim dhe përshtatje të D.E.