Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, ka këmbëngulur se thashethemet për të ardhmen e tij në Chelsea nuk e shqetësojnë dhe se është i përqendruar vetëm për të punuar me skuadrën, pas humbjes kundër Manchester City.
Të kaltërit e Londrës e kanë fituar vetëm njërën prej shtatë ndeshjeve të fundit në të gjitha garat pas disfatës 3:1 kundër City të dielën në Stamford Bridge, transmeton Gazeta Express.
Si pasojë e një ecurie të rezultateve të dobëta, Chelsea ka rënë në pozitën e tetë në Premierligë.
Kjo ka nxitur thashetheme se drejtuesit e Chelseat po mendojnë ta shkarkojnë Lampardin, por edhe pse nën presion, ai nuk iu kushton vëmendje thashethemeve.
I pyetur rreth presionit në rritje ndaj tij, Lampard tha: “Nuk jam i shqetësuar për këtë. Kam pritur se do të kemi periudha të vështira këtë vit. E thashë këtë kur fituam kundër Leeds kur të gjithë na vlerësonin si kandidat për titull”.
“Nuk ka rëndësi se a jam nën presion apo jo. Sepse para një muaji të gjithë më pyesnin se kur do ta nënshkruaja zgjatjen e kontratës dhe tani njerëzit po flasin për shkarkimin menjëherë, në një periudhë të vështirë ne i humbëm katër ndeshje”, shtoi ai.
“Presioni mbetet i vazhdueshëm në një punë si kjo dhe unë kam qenë i vetëdijshëm për këtë”, ka përfunduar Lampard.