UBT News

Lamine Yamal shpallet lojtari më i mirë i sezonit në La Liga

Ylli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, është shpallur lojtari më i mirë i sezonit 2025/26 në La Liga, pas paraqitjeve të jashtëzakonshme që ndihmuan skuadrën katalanase të mbrojë me sukses titullin e kampionit.

Barcelona e mbylli sezonin në vendin e parë me 94 pikë, ndërsa Yamal ishte një nga figurat kryesore të ekipit. Futbollisti 18-vjeçar realizoi 16 gola dhe dhuroi 12 asistime, duke dëshmuar edhe një herë talentin dhe rëndësinë e tij për skuadrën “blaugrana”.

Sukseset individuale të Barcelonës nuk u ndalën me kaq. Një ditë më parë, Hansi Flick u shpall trajneri më i mirë i sezonit, ndërsa Joan Garcia fitoi çmimin e portierit më të mirë të kampionatit.

Në garë për çmimin e futbollistit më të mirë ishte edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi. Sulmuesi i Mallorcës zhvilloi një sezon të shkëlqyer duke realizuar 23 gola dhe duke u renditur ndër golashënuesit më të mirë të kampionatit. Megjithatë, pavarësisht formës së tij të lartë, Mallorca nuk arriti të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll.

Përveç Muriqit, në listën e kandidatëve për çmimin e lojtarit më të mirë ishin edhe Kylian Mbappe i Real Madridit, Nicolas Pepe i Villarrealit dhe Pablo Fornals i Real Betisit.

Pas votimit, Yamal mori mbështetjen më të madhe dhe u shpall futbollisti më i mirë i edicionit, duke vazhduar dominimin e Barcelonës edhe në çmimet individuale. Ai bëhet lojtari i dytë radhazi i klubit katalanas që fiton këtë trofe, pas Raphinhas, i cili ishte shpallur më i miri i sezonit 2024/25.

Exit mobile version