Fisnik Laha, dekan i Fakultetit Biokimi Mjekësore dhe Kimi aplikative në UBT, në një bisedë për mediat e UBT-së, flet për punën që po bëhet për regjistrimin e studentëve të rinj dhe sidomos për përparësitë që mundësitë që ofron studimi në Biokimi Mjekësore, si dhe në Kimi aplikative, që është një drejtim i ri në këtë institucion
UBT News: UBT ka filluar regjistrimin e studentëve të rinj për vitin akademik 2025/2026. Si po ecin regjistrimet në fakultetin tuaj?
Laha: Procesi i regjistrimit përcillet me angazhim shtesë të stafit drejt realizimit të suksesshëm të këtij procesi. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë fazë.
Interesimi është mjaft i madh, sepse drejtimet janë tejet atraktive për tregun e punës dhe është një e ardhme e ndritur e të gjithë studentëve që do të jenë pjesë e jona.
UBT News: A ka interesim të shtuar në krahasim me vitet e kaluara?
Laha: Është një interesim i shtuar në krahasim me vitet paraprake. Kjo reflekton në radhë të parë angazhimin e stafit dhe investimet e tjera shtesë që kanë kryer në infrastrukturë laboratorike. Është një vlerësim i përgjithshëm i të gjithë neve, rruga të cilën ne nëpër vite po e ndjekim tregon që është rrugë e suksesshme – me regjistrime të reja, me vlerësime të reja në nivel ndërkombëtar për fakultetet respektive brenda UBT-së dhe është një zhvillim i hovshëm.
UBT News: Kimia aplikative është një drejtim i ri në UBT. Çka e bën të veçantë atë?
Laha: Sa herë që marrim iniciativa për drejtime të tjera, ne ndjekim tri orientim bazë, mbi të cilat ndërtojmë programe të qëndrueshme.
Një prej drejtimeve që na siguron qëndrueshmëri programore dhe karrierë të suksesshme për studentë është bashkëpunimi ynë direkt me industrinë vendore.
Elementet që i marrin si të dhëna nga ekonomia vendore i analizojmë në kontekstin global të zhvillimeve për fushat respektive dhe bëjmë vlerësime të infrastrukturës sonë dhe të kapacitetit aktual akademik dhe hulumtojmë në qoftë se ka nevojë për përmirësime shtesë.
Te Kimia aplikative, është vlerësim i përgjithshëm se është një kërkesë në rritje për njohjen e një morie të fenomeneve, që e mbështesin industrinë vendore, zhvillimin e saj të mëtutjeshëm.
E kemi kontekstualizuar edhe nga perspektiva e përgatitjes sonë infrastrukturore dhe akademike . Po ashtu, i kemi shikuar edhe bashkëpunimet tona ndërkombëtare, që zhvillojnë programe të ngjashme dhe kemi ardhë në përfundim se përmbajtja kurikulare e këtij programi është e garantuar për studentë që do të jenë pjesë e jona. Është e garantuar në kuptimin e karrierës së tyre profesionale, në kuptimin e zhvillimit të tyre të gjithmbarshëm edhe pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve.
Brena Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Kimisë aplikative në UBT kemi edhe programe të tjera të akredituara, që vazhdojnë me një ritëm të qëndrueshëm dhe është një progresion në rritje nëpër vite dhe sigurisht edhe ato eksperienca të programeve të tjera, edhe ato eksperienca shkencore që gjenerohen nga puna hulumtuese në veçse i kemi në dispozicion për gjeneratën e re që vjen në Kimi aplikative.
UBT News: Çfarë laboratorësh ka në UBT dhe a mundem këta laboratorë që profesionalisht t’i zhvillojnë studentët?
Laha: Qendra e Laboratorëve testues në UBT është qendra më e madhe rajonale e laboratorëve testuese, që janë në përdorim nga arsimi i lartë vendor dhe rajonal. Tri qasje që ne i ndjekim në raport me përdorimin e këtyre kapaciteteve janë të orientuara në hulumtim, ngase konsiderojmë se shtylla kryesore e zhvillimit të arsimit të lartë hulumtimi, veçanërisht orientimi ynë si UBT në fushat me aplikim të shkencave të natyrës, sigurisht edhe të shkencave të tjera.
Orientimi i parë i zhvillimit të metodologjive testuese ka shkuar drejt hulumtimeve, pra investimeve infrastrukturore në pajisje dhe në hapësira që sigurojnë hulumtim të qëndrueshëm për stafin dhe për studentët.
Qasja e dytë që ne ndjekim në vlerësimin e kapaciteteve dhe ngritjen e tyre nëpër vite lidhet me përdorimin e metodologjive jostandarde dhe të dizajnuara ekskluzivisht për studentët tanë.
Në fazat e para të studimeve i rregullojmë asisoj funksionet laboratorike, sa që japim njohuritë fillestare për studentët.
Në fazat e avancuara të studimeve të tyre, pastaj, është qasja e tretë, që ne e quajmë qasje standarde, qasja zyrtare e metodave të zbatuara në nivel ndërkombëtar.
Pra, gjithmonë flasim për përdorimin e metodologjive testuese, të aprovuara në nivel ndërkombëtar.
Stafi dhe studentët e UBT-së, pas kalimit të këtyre fazave, janë të gatshëm të ofrojnë testime për palë të treta.
UBT News: Si qëndron bashkëpunimi me industrinë?
Laha: Pikë kyçe e zhvillimit tonë është zhvillimi dhe promovimi i bashkëpunimit me industrinë, me kompanitë vendore, me industritë specifike.
Kur krijojmë programet e reja, kurikulat e i hartojmë ekskluzivisht bazuar në kërkesat që i ka industria.
Është një bashkëpunim i qëndrueshëm, që rritet vazhdimisht, në kuptimin e akterëve që involvohen aty dhe kjo po jep rezultate të qëndrueshme në të gjitha nivelet.
UBT News: Cilat janë rezultatet konkrete, a mund të na përmendni shifra të studentëve që regjistrohen?
Laha: Sapo studentët tanë shkojnë për praktika profesionale në industrinë vendore, ata bëhen pjesë shumë shpejt e asaj industrie. Ky është një vlerësim për krejt angazhimin që bën stafi akademik në raport me studentët tanë.
Bashkëpunimet ndërkombëtare na mundësojnë që të kemi shkëmbime të studentëve dhe të stafit. Parë nga kjo perspektivë, ne gjithmonë e analizojmë “feed-backun” që na vjen nga universiteti partner.
Është tejet motivuesve të shohësh që studentët tanë janë ndër më të mirët, kudo që janë nëpër universitete të botës.
UBT News: Cili është profili i stafit në Biokimi Mjekësore dhe Kimi aplikative?
Laha: Ne qëndrojmë më së miri me staf në republikën tonë, si për nga metodologjia në mësimdhënie, si për nga numri i hulumtimeve që stafi i zhvillon dhe i publikon në revista me impakt faktor.
Intervistoi: Driton Hyseni