Disa vite më parë, Berlusconi zbuloi lojtarin që donte më shumë në Milano: sigurisht një zgjedhje e vështirë duke marrë parasysh shumë kampionë në historinë e klubit kuq e zi.
Në 31 vite presidencë te Milani, Silvio Berlusconi ka bërë që disa lojtarë të veshin fanellën e kuqezinjve, të cilët kanë shkruar faqe të pashlyeshme në historinë e futbollit. Disa prej tyre ia dolën mbanë me “Rossonerët”, ndërsa të tjerët u blenë ndërsa ishin tashmë në majat e futbollit botëror.
E pamundur të bësh një listë të futbollistëve më të mëdhenj të epokës së Berlusconit, është listë e pafundme. Por edhe më e komplikuar është të zgjedhësh se kush është më i forti ndër ta.
Megjithatë Berlusconi, në një intervistë me “Corriere della Sera” në vitin 2020, bëri një zgjedhje: “Futbollisti më i dashur? Është e vështirë të përgjigjem, historia e Milanit tim ka qenë një nga kampionët e mëdhenj, të cilët kanë bërë të ëndërrojnë çdo tifoz, mua të parin. Një marrëdhënie personale respekti dhe dashurie është krijuar gjithmonë me djemtë’ e mi. Por nëse vërtet më duhet të përmend një, do të zgjedh Marco Van Basten, një simbol i bukurisë së futbollit siç e kuptoj unë. Një protagonist legjendar që la një boshllëk që nuk mund të plotësohej kur iu desh të largohej shumë shpejt nga fushat e futbollit”, kishte thënë Berlusconi.
Ish-presidenti i Milanit dhe ish-kryeministri i Italisë vdiq të hënën, më 12 qershor në moshën 86-vjeçare.