UBT News

Ky është “Ylli i javës” për gjiron e gjashtë të Superligës

Mesfushori i Feronikelit 74, Jakup Berisha është shpallur lojtari më i mirë për xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll.

Mesfushori i Niklit, pati paraqitje të mirë kundër Lirisë, teksa shënoi edhe dy gola, duke kontribuuar që skuadra e tij të fitojë tri pikë të reja, duke e përmbysur rezultatin nga 3:0 në 3:5.

Pasi mori këtë çmim, Berisha u shpreh i lumtur për vlerësimin dhe për faktin që skuadra e tij tregoi karakter të lartë, duke u rikthyer nga disavantazhi prej tre golash.

“Të shpallesh më i miri i xhiros është një ndjenjë e veçantë, sidomos në një ndeshje si ajo e ditës së djeshme, e cila ishte e papërshkrueshme dhe e para në karrierën time që më solli emocione të tilla. Të gjithë janë befasuar me përmbysjen e rezultatit nga 3:0 në 3:5 që e bëri skuadra jonë, por kjo tregon karakterin e ekipit tonë. Jam shumë i lumtur për fitoren dhe për faktin që e kam ndihmuar ekipin të arrijmë një tjetër fitore të vlefshme në Albi Mall Superligë. Falënderoj bashkëlojtarët, stafin e trajnerëve, tifozët dhe të gjithë ata që besojnë tek ne. Feronikeli 74 nga ndeshja në ndeshje do të hyjë për rezultate pozitive dhe besoj që me punën që po bëjmë do të arrijmë pikë maksimale në çdo ndeshje”, ka thënë Jakup Berisha për faqen zyrtare të FFK-së.

Exit mobile version