Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për javën e 14-të të kampionatit. Këtë herë, vlerësimi i ka takuar sulmuesit të KF Llapit, Muhamet Hyseni, pas paraqitjes së tij vendimtare në fitoren 2:4 kundër FC Ballkanit në Suharekë.
Hyseni u shqua me dy gola dhe një asistim gjatë 81 minutave të qëndrimit në fushë, duke qenë lojtari kyç në triumfin e rëndësishëm të llapjanëve. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, të cilët e kanë cilësuar Hysenin lojtarin më influent të javës.
Pas marrjes së çmimit, sulmuesi llapjan u shpreh i lumtur për këtë vlerësim dhe për rikthimin e formës së tij në elitën e futbollit kosovar.
“E zhvilluam një ndeshje të vështirë në Suharekë, por përgatitja e mirë dhe angazhimi kolektiv na sollën fitoren. Edhe pse nuk e kemi nisur kampionatin siç duhet, tashmë kemi hyrë në një ritëm më pozitiv dhe po i marrim rezultatet që na duhen,” tha Hyseni.
Ai shtoi se rikthimi në Superligë ka qenë i veçantë për të:
“Jam i lumtur që po shënoj gola dhe po kontribuoj për ekipin. Objektivi ynë është pozicionimi në pjesën e epërme të tabelës dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin për mbështetjen,” përfundoi ai për faqen zyrtare të FFK-së./KP
