Të gjithë punonjësit e shëndetësisë në Francë duhet të jenë të vaksinuar kundër Covid deri në shtator, ose ndryshe rrezikojnë të mos paguhen.
Presidenti Emmanuel Macron ka thënë gjithashtu se që nga muaji tjetër, do të duhet të shfaqen lejet e shëndetit për të hyrë në vende si dyqane, bare, kinema dhe udhëtime me tren në distanca të gjata në Francë.
“Unë jam i vetëdijshëm për atë që po kërkoj nga ju dhe e di që ju jeni gati për këtë angazhim, kjo është pjesë, në një farë mënyre, e ndjenjës tuaj të detyrës,” tha presidenti në një fjalim televiziv të hënën. Vaksinat e detyrueshme do të aplikohen për këdo që bie në kontakt me njerëz të pambrojtur dhe prandaj vlen për të gjithë ata që punojnë në spitale, klinika dhe institucione kujdesi, pavarësisht nga roli i tyre.
Lejet e shëndetit në Francë, janë përdorur tashmë për të hyrë në disa vende, të tilla si klube nate të cilat u rihapën për herë të parë në fundjavë. Sidoqoftë ato do të zgjerohen për të përfshirë më shumë vende duke përfshirë festivale, teatro dhe spitale nga 21 korriku, dhe do të zbatohen për çdo njeri mbi 12 vjeç.
Rastet po rriten në Francë, me variantin Delta që shkakton një rritje të shtrimeve në spital. Të premten, një panel shkencëtarësh që këshillojnë qeverinë franceze për çështjet shëndetësore paralajmëruan për një valë të katërt në muajt e ardhshëm dhe thanë se deri në 95% të njerëzve mund të kenë nevojë të vaksinohen për të kontrolluar përhapjen./ KultPlus