UBT News

KV Ferizaj shpallet kampion i Kosovës në volejboll

KV Ferizaj ka fituar titullin e kampionit të Kosovës në volejboll për vajza U20, pasi mposhti Prishtina Elite me rezultat 3:1 në sete në finalen e zhvilluar të shtunën mbrëma.

Skuadra ferizajase tregoi paraqitje të shkëlqyer në ndeshjen vendimtare, duke dominuar në dy setet e para dhe duke hedhur një hap të madh drejt titullit. Ferizaj i fitoi setet e para me rezultat 25:14 dhe 25:20, falë organizimit të mirë në lojë, pritjes stabile dhe efikasitetit në sulm.

Prishtina Elite nuk u dorëzua dhe reagoi fuqishëm në setin e tretë. Pas një dueli të fortë dhe shumë pikëve të luftuara, kryeqytetaset arritën ta fitojnë setin me rezultat 27:25, duke rikthyer shpresat për përmbysje.

Megjithatë, në setin e katërt, KV Ferizaj riktheu kontrollin e lojës dhe me një paraqitje bindëse e mbylli setin me rezultat 25:15, për të vulosur fitoren 3:1 dhe për të ngritur trofeun e kampionit të Kosovës në kategorinë U20.

Rezultati i finales:

Prishtina Elite – KV Ferizaj 1:3

  • 14:25
  • 20:25
  • 27:25
  • 15:25

Pas përfundimit të finales, të dyja skuadrat u nderuan me medalje për suksesin e arritur gjatë kampionatit. Kupën e kampionit për KV Ferizaj e ndau nënkryetarja e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Emine Ramadani Reka.

Finalja konfirmoi nivelin e mirë të konkurrencës në kategoritë e reja dhe dëshmoi punën e vazhdueshme të klubeve në zhvillimin e volejbollit të vajzave në Kosovë.

Federata e Volejbollit e Kosovës ka uruar KV Ferizajn për suksesin e arritur, duke përgëzuar lojtaret, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit për përkushtimin dhe paraqitjet e shkëlqyera gjatë gjithë kampionatit.

D.L

Exit mobile version