KV Drita është shpallur fituese e Turneut Mbarëkombëtar ‘Kupa Adem Jashari’ pas një finaleje të fortë dhe emocionuese ndaj KV Ferizajt, të cilën e mbylli me rezultat 3-1 në sete. Ky turne tradicional, i organizuar në nderim të Epopesë së UÇK-së, ka sjellë një konkurrencë të lartë dhe një atmosferë sportive të veçantë.
Gjilanasit nisën ndeshjen me energji të madhe, duke fituar setin e parë 25-17, ndërsa Ferizaj reagoi në setin e dytë dhe barazoi rezultatin po me 25-17. Në setin e tretë Drita riktheu kontrollin e lojës, e fitoi atë 25-17, dhe e mbylli ndeshjen në setin e katërt me 25-15, duke siguruar triumfin e merituar.
Pas finaleve, KV Drita shprehu falënderimin e saj më të sinqertë për organizatorët, KV Skenderaj, si dhe për institucionet dhe individët që kontribuan në realizimin e turneut. Ky aktivitet ka pasur një vlerë të veçantë sportive dhe kombëtare, duke bashkuar ekipe nga Kosova dhe Shqipëria dhe duke nderuar sakrificën e familjes Jashari.
Nga klubi theksojnë se volejbolli është një urë që bashkon sportistët dhe forcon miqësinë ndërmjet klubeve dhe vendeve tona, dhe falënderojnë të gjitha ekipet pjesëmarrëse për cilësinë dhe rivalitetin sportiv gjatë turneut.
“Sporti na bashkon, me respekt për historinë dhe me besim për të ardhmen,” u shpreh klubi gjilanas.
