Kuvendi i Kosovës vazhdon sot seancën plenare në orën 11:00, ku në rend dite është votimi për rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi seanca e djeshme u ndërpre për shkak të mungesës së deputetëve në sallë pas pauzës.
Në prag të këtij votimi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar ashpër, duke vlerësuar se ndryshimet e propozuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të vendit dhe kërkojnë konsultime paraprake.
“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Shqetësimet e BE-së i ka mbështetur menjëherë edhe Ambasada Gjermane në Prishtinë.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me mundësinë e votimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e saj.
Edhe Ambasada e Italisë në Kosovë ka dalë me një qëndrim të ngjashëm, duke paralajmëruar për pasojat e mungesës së konsultimeve.
“Ndryshimet e propozuara ngrehin shqetësime serioze lidhur me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrehin shqetësime sa i përket kushtetutshmërisë së tyre”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane, e cila shton: “Na vjen keq që këto konsultime ende nuk janë zhvilluar. Ligji aktual nuk do t’u shërbejë as interesave të Kosovës dhe as interesave të individëve që së fundmi janë dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës”.
Për këtë çështje, javën e kaluar gjatë prezantimit të Raportit të Progresit, edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se ndryshimet ligjore për Gjykatën Speciale paraqesin pengesë në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.
Ndryshe, ky projektligj u fut në rend dite me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së. Ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka kërkuar nga deputetët që të votohet rrëzimi i vetos së presidentes Justina Shiroka-Pula, duke u zotuar për amendamentim të shpejtë të ligjit.
“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku.
/Ekonomia online/
