Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot në orën 11:00, ndonëse afati kushtetues për përfundimin e këtij procesi skadoi mbrëmë në mesnatë.
Kapërcimi i këtij afati ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, të cilat insistojnë se konstituimi i legjislaturës së re duhej të përmbyllej brenda kornizave kushtetuese.
Gjatë orëve të vona të së enjtes, përfaqësues të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së qëndruan në ambientet e Kuvendit duke kërkuar mbylljen e seancës para orës 00:00. Edhe pse disa deputetë opozitarë tentuan të futen në sallën plenare, ata e gjetën derën e mbyllur. Përkundër përplasjeve, asnjë nga tri subjektet opozitare nuk ka konfirmuar ende nëse do ta bojkotojë punën e sotme.
Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë një ofertë PDK-së gjatë ditës së djeshme: postin e kryetarit të Kuvendit, në këmbim të sigurimit të kuorumit për zgjedhjen e presidentit të ri. /E.A/
