UBT News

Kuvendi ratifikon me 81 vota marrëveshjen me Suedinë për transferimin e të dënuarve

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar.
Gjatë prezantimit të projektligjit para deputetëve, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, theksoi se marrëveshje të tilla përbëjnë një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin evropian dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore për zbatimin efektiv të ligjit.
Ajo sqaroi se, meqë marrëveshja ndërlidhet me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, ratifikimi i saj nga Kuvendi është i domosdoshëm në bazë të nenit 18 të Kushtetutës.
Përkrahje për këtë marrëveshje ndërkombëtare kanë dhënë edhe grupet parlamentare opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, duke mundësuar kalimin e saj me konsensus të plotë në seancën plenare. /E.A/

Exit mobile version