UBT News

Kuvendi ratifikon marrëveshjen 90.3 milionë me Bankën Botërore

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për financim me Banka Botërore, në vlerë prej 90.3 milionë euro.

Marrëveshja u miratua me 103 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, të cilat erdhën nga deputetët e Lista Serbe.

Bëhet fjalë për Marrëveshjen e Financimit për Programin e parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër”, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore.

Programi synon mbështetjen e reformave strukturore, forcimin e disiplinës fiskale dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se financimi është me normë interesi zero për qind dhe me periudhë grace prej gjashtë vjetësh para fillimit të kthimit. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe reformat e dakorduara, duke bërë që mjetet të jenë tashmë në dispozicion pas ratifikimit.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 19 prill 2024 dhe konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të mbështetur stabilitetin fiskal, rritjen e konkurrueshmërisë dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të gjelbër.

 

Exit mobile version