Lajm në zhvillim:
Kuvendi i Kosovës po vazhdon me diskutimet parlamentare, pavarësisht faktit se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka braktisur sallën plenare. Largimi i PDK-së erdhi pasi shefat e grupeve parlamentare nuk arritën një kompromis për ta trajtuar draft-rezolutën për mbrojtjen e të vërtetës historike si pikën e parë të rendit të ditës.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, argumentoi se për shkak të rëndësisë kombëtare, ky dokument duhej të votohej përpara çdo pike tjetër, duke theksuar se deputetët kishin pasur kohë që nga e mërkura për ta shqyrtuar tekstin. Sipas saj, në një kohë kur tentohet shtrembërimi i historisë, Kuvendi nuk mund të sillet sikur çdo gjë është normale pa i dhënë prioritet kësaj çështjeje.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) shprehu gatishmërinë për ta mbështetur rezolutën, por me kushtin që teksti të harmonizohej paraprakisht.
Arbërie Nagavci propozoi që një grup i përbashkët punues të hartonte një draft të dakorduar gjatë ditës, në mënyrë që ai të votohej në fund të seancës si një qëndrim unik.
Meqenëse PDK-ja nuk pranoi që rezoluta të mos ishte pika e parë, ata tërhoqën propozimin dhe u larguan, ndërsa deputetët e tjerë po vazhdojnë me shqyrtimin e 16 pikave të mbetura të rendit të ditës, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare dhe emërimet në institucione të pavarura.
Kuvendi nis punimet me diskutime mbi rezolutën e PDK-së për mbrojtjen e viktimave të luftës
Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot, për të mbajtur seancën e parë plenare që pas shpalljes së aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Çështja që ka marrë vëmendjen kryesore në hapje të punimeve është kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të ndryshuar rendin e ditës, duke kërkuar që draft-rezoluta për mbrojtjen e viktimave dhe të vërtetën historike të luftës në Kosovë të futet dhe të trajtohet si pika e parë e kësaj seance.
Përfaqësuesit e PDK-së, përfshirë deputeten Vlora Çitaku, insistuan që ky dokument të ketë prioritet absolut, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ftoi krerët e grupeve parlamentare në konsultim për të vendosur mbi këtë procedurë.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Kuvendi pritet të vazhdojë me 16 pikat e rregullta të rendit të ditës, të cilat përfshijnë ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në, Fondin Saudit dhe BERZh-in për projekte në arsim, mjedis dhe energji, si dhe formimin e komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe në Bordin e RTK-së.
