Pas një seance maratonike që nisi pasditen e së enjtes dhe zgjati deri pas mesnate, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027 me 61 vota për. Ky planifikim financiar kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, duke shënuar një rritje prej 300 milionë eurosh krahasuar me buxhetin fillestar të këtij viti. Punimet e seancës u shoqëruan edhe me ndërprerje të shkurtra për shkak të mungesës së energjisë elektrike, temë kjo për të cilën deputetët miratuan gjithashtu vendosjen e masave të emergjencës në furnizim.
Duke prezantuar projektligjin para ligjvënësve, kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky buxhet synon ta çojë vendin në një fazë të re të transformimit ekonomik. Sipas tij, për sektorin publik janë ndarë 1 miliard e 85 milionë euro, ku parashihet vazhdimi i pagesës së pagës së 13-të në gjysmën e parë të vitit dhe rritja e vlerës së koeficientit në 120 euro nga 1 korriku i vitit 2027. Kurti theksoi gjithashtu nisjen e dyfishimit gradual të shtesave për fëmijë, me një rritje të parë prej 25 për qind nga 1 janari 2027, si dhe përgjysmimin e shpenzimeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit për t’i orientuar mjetet drejt barnave esenciale për SHSKUK-në. Për herë të parë, mbi 1 miliard euro janë paraparë për investime kapitale, ku përfshihen Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit dhe ndërtimi i digave të reja.
Në anën tjetër, partitë opozitare e kundërshtuan ashpër këtë projektbuxhet, duke e cilësuar si buxhet konsumi e jo zhvillimi. Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kritikoi shkallën e ulët të realizimit të projekteve kapitale, zvarritjen e autostradës Prishtinë–Gjilan dhe mungesën e rritjes së pensioneve, ndërsa bashkëpartiaku i tij, Mërgim Lushtaku, kërkoi llogari për premtimet e parealizuara si ndërtimi i 160 çerdheve dhe 4 mijë banesave. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi se rritja prej 7 për qind e buxhetit gëlltitet nga inflacioni dhe se politikat e bazuara vetëm në ndihma sociale e mbajnë vendin të fundit në Evropë, duke propozuar ngritjen e koeficientit në 150 euro dhe rritjen e investimeve përmes kredive të buta dhe fondeve pensionale. Po ashtu, shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ngriti shqetësimin për zvogëlimin e grantit për arsimin. Kritika erdhën edhe nga AAK-ja, ku deputetja Teuta Haxhiu foli për zvogëlim real të buxhetit për shkak të inflacionit, ndërsa Time Kadrijaj kërkoi sqarime për mosfshirjen e hekurudhës Durrës–Prishtinë në këtë planifikim.
Ndaj këtyre akuzave reagoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mbrojti balancën mes mbështetjes sociale dhe zhvillimit, duke deklaruar se gjatë mandatit të tyre numri i të punësuarve është rritur me 100 mijë, nga 350 mijë në 450 mijë, dhe se shteti është i ekspozuar ndaj inflacionit të importuar për shkak të përdorimit të euros. Mbështetje për projektbuxhetin dha edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, i cili nënvizoi se ky buxhet mbështetet tërësisht në të hyrat e rregullta, pa u varur nga fondet e AKP-së apo klauzola e investimeve. Paraprakisht, në po të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi edhe tri marrëveshje ndërkombëtare. /E.A/
