UBT News

Kuvendi miraton Ligjin për Sigurimet Shëndetësore

Me 80 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Ndonëse mori mbështetje unanime në votim, opozita drejtoi kritika të ashpra për vonesën e kësaj reforme dhe mungesën e ministrit Arben Vitia në komisionin përkatës.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, theksoi se ky ligj vjen me vonesë të madhe, ndërsa qytetarët vazhdojnë të varfërohen duke blerë vetë barna e materiale shpenzuese në QKUK, të cilat do duhej të ishin në listën esenciale. Ismaili shtoi se projektligji ka boshllëqe dhe se sjellja e tij pak para zgjedhjeve ngre dyshime për qëllime elektorale, duke paralajmëruar se qytetarët do të përballen edhe për një kohë me mungesë shërbimesh.

Mbështetje, por me rezerva për zbatimin, dha edhe Albana Bytyqi nga AAK-ja, e cila potencoi se pa një implementim të mirëfilltë, ligji nuk do të ketë rezultat. Në të njëjtën seancë, deputetët miratuan edhe Projektligjin për Shërbimet e Pagesave dhe atë për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.

Exit mobile version