UBT News

Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës për vitin 2026

Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim.

Buxheti i paraparë për këtë vit është 4 miliardë euro.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar se ky është një buxhet i përkohshëm emergjent, ndërsa procesi i miratimit ka qenë i shpejtë për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.

Ai ka sqaruar se për shkak të kohës së kufizuar, nuk është dhënë hapësirë për ndryshime, madje as ministrave që menaxhojnë dikasteret e tyre, duke u fokusuar në sigurimin e një baze që komunat dhe institucionet qendrore të mund të funksionojnë pa probleme. Murati po ashtu ka kërkuar që të mos ketë amandamente me implikime financiare.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar mënyrën se si janë trajtuar amandamentet e partisë së tij gjatë seancës plenare, duke thënë se nuk është lënë hapësirë reale për ndryshime.

“Asnjë amandament i AAK-së nuk kaloi, dhe i gjithë procesi duket si një mashtrim optik,” ka thënë Tahiri.

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se Lidhja Demokratike ka paraqitur 21 amandamente që nuk janë shqyrtuar nga komisionet përkatëse.

Ajo ka paralajmëruar se pa vënien e këtyre amandamenteve në votim, LDK nuk do ta mbështesë buxhetin, duke argumentuar se ato adresojnë probleme reale të qytetarëve, përfshirë arsimin, shëndetësinë dhe investimet kapitale.

Gjithashtu, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka njoftuar se partia e tij nuk e mbështet buxhetin dhe tërheq të gjitha amandamentet.

Ai ka thënë se vërejtjet e PDK-së, që lidhen me aspektet profesionale, teknike dhe nevojat reale që buxheti duhet të adresojë, nuk kanë marrë vëmendje, duke përfshirë edhe kërkesat për rritje të mbështetjes financiare për të akuzuarit dhe çlirimtarët në Hagë.

 

Exit mobile version