UBT News

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Exit mobile version