UBT News

Kuvendi mblidhet nesër, rishqyrtohet Ligji për Specialen

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër dy seanca plenare, duke nisur në orën 10:00 me vazhdimin e punimeve të mbetura në gjysmë të premten e kaluar, ndërsa në orën 11:00 është caktuar të fillojë një seancë e re.

Gjatë vazhdimit të seancës së parë, ligjvënësit do të trajtojnë tri çështje të rëndësishme që kanë mbetur pa u përmbyllur. Fillimisht, deputetët pritet të hedhin në votim Propozim-Rezolutën e dalë nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, e cila lidhet me mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e vdekjes së pacientes me kancer të gjirit që kishte mbetur katër muaj pa terapi.

Më pas, në rend dite është votimi i Propozim-Rezolutës nga mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen në sektorin energjetik, duke përfshirë planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.

Pika e fundit dhe më e ndjeshme e këtij vazhdimi do të jetë rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili është rikthyer në Kuvend nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Pas përfundimit të këtyre pikave, Kuvendi do të vijojë me agjendën e seancës së re të paraparë për në orën 11:00. /E.A/

Exit mobile version