UBT News

Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për faturimin e energjisë pas dyshimeve për parregullsi te njehsorët

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, duke filluar nga ora 11:00, në një seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës: çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.

Kjo mbledhje pason gjetjet e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i cili pas një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj, raportoi se në mbi 80 për qind të rasteve njehsorët nuk kishin orën e saktë, gjë që ndikon në llogaritjen e tarifave.

Këto pretendime janë mbështetur edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, e cila pas inspektimeve të para në terren ka gjetur mospërputhje të kohës te njehsorët elektrikë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë që të nisë hetimet dhe intervistimet në terren lidhur me funksionimin e njehsorëve të KEDS-it.

Nga ana tjetër, KEDS-i ka deklaruar se matja e energjisë është e saktë dhe ka mohuar mundësitë e manipulimit, ndonëse ka konfirmuar se qytetarët do të kompensohen nëse vërtetohet ndonjë devijim teknik.

Exit mobile version