UBT News

Kuvendi mban seancë sot: Në rend dite interpelanca me ministrin Vitia dhe marrëveshjet ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë plenare, duke filluar nga ora 10:00, ku pritet të shqyrtohen marrëveshje ndërkombëtare, mocioni për energjinë elektrike si dhe interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në mesin e pikave kryesore të rendit të ditës është interpelanca e thirrur për ministrin Vitia lidhur me mungesën e barnave onkologjike dhe rastin e vdekjes së pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi. Po ashtu, deputetët do të diskutojnë edhe mocionin përmbajtjesor mbi planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.

Gjatë kësaj seance, në votim pritet të hidhen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik penal: tri marrëveshje me Mbretërinë e Suedisë (për ekstradimin, transferimin e të dënuarve dhe ndihmën e ndërsjellë juridike) si dhe traktati për ndihmë juridike ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës. Në rend dite mbetet edhe miratimi i Propozim-Programit të Punës së Kuvendit për Sesionin Vjeshtor 2026. /E.A/

Exit mobile version