UBT News

Kuvendi mban dy seanca të enjten, AAK kërkon interpelancë me Kurtin

Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca plenare të enjten, më 26 nëntor 2026, kjo u vendos pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, bëri të ditur se në takim është diskutuar edhe për caktimin e një seance të veçantë vetëm për pyetjet parlamentare. “Potencialisht ajo seancë mund të jetë të premten”, deklaroi Lushaku.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, sqaroi se të enjten njërës seancë do t’i dedikohet vazhdimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara, ndërsa tjetrës pika të reja. Ai njoftoi se AAK-ja ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Albin Kurti lidhur me raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Interpelanca lidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me SHBA-të. Këtë të enjte nuk ishte kryeministri Kurti në Kosovë dhe u shty për seancën e radhës. Kjo interpelancë nënkupton në radhë të parë kërkesën për një punë shumë më të madhe në raport me rikthimin e dialogut strategjik Kosova–SHBA, por edhe me ndërtimin e një strategjie shtetërore”, tha Tahiri, duke shtuar se forcimi i institucioneve është jetik për integrimin në NATO dhe procesin e njohjeve të reja.

Në rendin e ditës të seancës së re të shqyrtuar nga Kryesia është paraparë edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje. /E.A/

Exit mobile version