Kuvendi i Kosovës këtë javë mban dy seanca. Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila.
Në një konferencë për media të mbajtur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari – Lila tha se të martën do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për lidhur me rritjen e çmimeve.
“Pastaj për seancë të re të rregullt mbetet të shihet në mbledhjen e radhës së Kryesisë, qoftë nesër ose një nga ditët në vazhdim. Megjithatë këtë javë priten dy seanca, nesër seancë e jashtëzakonshme dhe pasnesër vazhdim i seancave të pambyllura deri më tani”, tha Kusari Lila.
Përveç vendimeve të cilat janë në kompetencë të kryetarit të Kuvendit, Kusari Lila bëri të ditur që nesër me kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës, do të mbahet një debat në lidhje me rritjet e çmimeve.
“U morën vetëm vendimet të cilat janë ose obligime kushtetuese ose në kompetencë të kryetarit të Kuvendit. Kemi një kërkesë të grupeve parlamentare të opozitës, për debat parlamentar i cili mbahet nesër në fillim në orën 11:00 për rritjet e çmimeve dhe situatën aktuale të ndërtuar. Ndërsa, kryetari i Kuvendit caktoi seancën tjetër ditën e mërkurë, e cila do të përfshijë vazhdimin e trajtimit të pikave të pambyllura nga seancat e mëhershme, nga seancat e datës 24-26 janar, 22,23,24,25 shkurt”, tha Kusari Lila.
E pyetur se a janë caktuar këto në bazë të mandatit që ka kryetari, ajo tha se debati parlamentar parashihet të mbahet në bazë tët nënshkrimeve të deputetëve.
“E para kërkesë për debat parlamentar ishte me 40 nënshkrime, që është me automatizëm në ditën, orën që e caktojnë deputetët që kanë nënshkruar, ndërsa e dyta po në kompetencë të Kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Kusari Lila.
Në mungesë të kuorumit, sot, ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.