UBT News

Kuvendi i Shqipërisë: Vendimi i Speciales është “thellësisht i padrejtë”, qeveritë të bashkërendojnë veprimet

Kuvendi i Shqipërisë ka dalë me një deklaratë të përbashkët zyrtare pas dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si thellësisht të padrejtë dhe të papranueshëm.

Përmes këtij reagimi, legjislativi shqiptar rikujtoi se lufta e UÇK-së ishte një përpjekje e drejtë dhe e domosdoshme për çlirim ndaj represionit, spastrimit etnik dhe gjenocidit të ushtruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Në deklaratë nënvizohet se asnjë vendim gjyqësor nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, të barazojë agresorin me viktimën apo të zbehë kontributin e krerëve të UÇK-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë.

Tirana zyrtare shprehu gjithashtu shqetësimin e thellë për përdorimin e standardeve të dyfishta në rajon, duke dënuar glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës në Beograd, si dhe tentativat e Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar këtë proces me qëllim delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës.

Në përmbyllje, Kuvendi i Shqipërisë iu bëri thirrje të drejtpërdrejtë dy qeverive, asaj në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe dy parlamenteve përkatëse, që të koordinojnë urgjentisht veprimet institucionale për ndjekjen e shkallëve të mëtejshme të procesit ligjor. Gjithashtu, Shqipëria u zotua se do të vazhdojë të denoncojë në të gjitha forumet ndërkombëtare krimet e luftës dhe gjenocidin e kryer nga Serbia, duke kërkuar drejtësi të plotë për viktimat.

Exit mobile version