Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese thuhet se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës duhet të nisë nga pika e 3-të e rendit të ditës, e që është votimi në formë të hapur për kandidatin për kryekuvendar. Sipas vendimit kandidati i propozuar i njejtë mund të votohet vetëm deri në tri herë.
“Rrjedhimisht, Gjykata konstaton që Kryesuesi i Seancës Konstituive duhet të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë. Rrjedhimisht, Gjykata në vijim përcakton që deputetët e zgjedhur të Kuvendit duhet të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi.” thuhet në aktgjykim.
Gjithashtu, Kushtetuesja tha se konstituimi duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh.
“Gjykata në kuptim të detyrimeve të deputetëve për realizmin e Seancës Konstituive rithekson që zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të fillojë të funksionojë, dhe në kontekst të përcaktimeve të neneve 4, 7 dhe 74 të Kushtetutës, kjo kërkon nga të gjithë deputetët e zgjedhur që gjatë votimit të kandidatëve për Kryetar/e dhe nënkryetarë të Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Gjykata rithekson që në rrethanat e rastit konkret, nuk ka interes më të mirë të Republikës së Kosovës, se sa konstituimi i organit më të lartë përfaqësues”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.
Forma e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike, ndërsa lidhet edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Gjykata nuk ka treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi dhe Kushtetuesja obligon të gjithë deputetët për të marrë pjesë në votim.