UBT News

Kushtetuesja sqaron afatet për zgjedhjen e presidentit: Reagojnë Presidenca, LDK dhe LVV

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e 6 marsit, ku u përcaktua një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri para shpërndarjes automatike të Kuvendit, institucionet dhe krerët politikë kanë shprehur qëndrimet e tyre mbi rrugën që duhet ndjekur.

Presidenca e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare, vlerësoi se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra nga Vjosa Osmani.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhej në njoftim, duke shtuar se përgjegjësia për zgjedhjet e mundshme bie mbi organin legjislativ.

“Nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces”, potencoi Presidenca, duke u bërë thirrje deputetëve që urgjentisht të caktojnë seancën për votim.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se vendimi ka sjellë qartësinë e nevojshme dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm, ndonëse theksoi se barra kryesore i takon pushtetit.

“Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin. Përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare, e cila duhet të ofrojë zgjidhje sepse pa votat e saj ky proces nuk mund të përmbyllet”, shkroi Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja nuk do të bëhet “alibi e dështimeve të askujt”.

Ai insistoi se figura e re e presidentit nuk duhet të jetë një zgjatim i partisë në pushtet, por një profil që garanton balancë.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës”, përfundoi kreu i LDK-së.

Ndërkaq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri thirrje për një qasje pragmatike në mënyrë që të shmanget bllokada totale e institucioneve.

Ajo nënvizoi se afati prej 34 ditësh duhet të shfrytëzohet për dialog mes forcave politike, pa e ndalur punën e përditshme të Kuvendit.

“Është shumë e rëndësishme që e para Kuvendi të vazhdojë punën, e dyta që të ketë një kompromis dhe dakordim mes forcave politike për zgjedhjen e presidentit” është shprehur Kusari-lila në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Tutje ajo tha se “Derisa vazhdojnë negociatat për një person konsensual, besoj që mund të vazhdojmë me agjendën legjislative”, deklaroi Kusari-Lila, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në këtë fazë kritike.

Exit mobile version