Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Kërkesa në Kushtetuese ishte paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës. Në kërkesë ishte kërkuar që të shqyrtohet kushtetutshmëria e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe vendosja e një mase të përkohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026 dhe do të jetë në fuqi deri më 31 mars 2026. Me këtë masë ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës që lidhet me Dekretin nr. 24/2026 të datës 6 mars 2026, si dhe çdo veprim i Kuvendit të Republikës së Kosovës gjatë kësaj periudhe.
“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.
Në vendim thuhet gjithashtu se pezullimi i çdo veprimi dhe vendimi të mëtejmë nga institucionet është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të shtetit.
“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26 konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në vendim.
Në dokumentin e Gjykatës përmendet edhe se më 9 mars 2026 gjyqtari Radomir Laban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja për rastin KO72/26, por kjo kërkesë ishte refuzuar njëzëri nga Gjykata.
Ndërkohë, më 5 mars 2026, Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, pas kërkesës së 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Në rend dite ishte vetëm pika për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Sipas procesverbalit të seancës së 5 marsit, për postin e presidentit ishin propozuar dy kandidatë: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
