Kënga e famshme e John Lennon e vitit 1969 “Give Peace a Chance” (Jepini një shans paqes) u bë një baladë kundër luftës për një brez, madje edhe më tej. Por pavarësisht shumë lëvizjeve për paqe që ekzistojnë, shumica e vendeve të botës nuk i dëgjojnë thirrjet për eliminimin e ushtrive.
Aktualisht shpenzuesi më i madh për forcat e armatosura janë Shtetet e Bashkuara, me 801 miliardë dollarë të shpenzuara për vitin 2021. Pas saj vjen Kina me 293 miliardë dollarë. Por shumica e vendeve të botës, nuk janë lojtarë kryesorë në gjeopolitikë. Ato mbështeten për mbrojtjen tek vendet më të mëdha.
Por kur një vend eliminon ushtrinë e tij, ka jo pak përfitime. Para së gjithash, nuk shpenzon miliona apo miliarda për armë, dhe këto fonde mund të përdoren për gjëra të tjera, për të rritur ekonominë apo për të ofruar shërbime. Së dyti, vendet pa ushtri janë më të qëndrueshme, pasi shanset për një grusht shteti janë shumë të vogla. Ja cilat janë disa nga vendet pa ushtri.
Andorra
E ndodhur midis Spanjës dhe Francës, ky mikro-shtet i ka fillesat në fundin e shekullit XIII, kur, konkurrenca midis Spanjës dhe Francës, bëri që vendi të sundohej me rotacion nga dy princa, nga të cilët njëri ishte nga Franca dhe tjetri nga Spanja. Ky sistem u shpërbë vetëm në vitin 1993, kur u miratua një formë kushtetuese e qeverisjes.
Gjithsesi mbrojtja e Andorrës, një vend me vetëm 78 mijë banorë, sigurohet ende sot nga Franca dhe Spanja. Të ardhurat për frymë në Andorra janë më të larta se mesatarja midis vendeve evropiane, mbi 40.000 dollarë. Ku vend mbahet nga turizmi, shitjet me pakicë dhe sistemi bankar.
Samoa
Vendi shumë i bukur ishullor i Paqësorit, është qendra e kulturës polineziane. Samoacilësohet si Hauaiki, atdheu origjinal polinezian, nga i cili ishullorët ndërmorën udhëtime epike nëpër Paqësor për t’u vendosur ishuj aq të largët sa Rapa Nui dhe Hauai. Samoa mban lidhje të forta me Zelandën e Re.
Traktati i Miqësisë i nënshkruar në vitin 1962, i jep Samoas mundësinë t’i kërkojë Zelandës së Re ta përfaqësojë atë ndërkombëtarisht dhe ta mbrojë diplomatikisht. Mbrojtja ushtarake është e nënkuptuar. Forca e vogël policore, përgjegjëse për zbatimin e ligjit, ka në inventar vetëm 142 armë të vogla.
Qyteti i Vatikanit
Qyteti i Vatikanit është një enklavë e pazakontë, me një sipërfaqe prej 0.44 km2, e pozicionuar brenda kryeqytetit italian, Romë. Ajo është epiqendra e fuqisë së Kishës Katolike Romake. Qyteti i Vatikanit kontrollohet teknikisht nga Selia e Romës, dhe njihet për mbrojtjen nga rojet e famshme zvicerane.
Rojet zvicerane cilësohen ndonjëherë si “Ushtria e Vatikanit”. Në fakt ato janë truprojat e papës dhe rojet e qytetit të Vatikanit. Ka vetëm 100 të tillë. Vatikani ka gjithashtu edhe Korpusin e Xhandarmërisë, policinë dhe njësitë e zjarrfikësve. Puna e tyre ka të bëjë me luftimin e krimeve të vogla si për shembull grabitja e turistëve.
Kosta Rika
Konsiderohet shpesh si një shembull i stabilitetit, në një rajon që historikisht ka qenë i trazuar me revolucione dhe trazira. Kosta Rika nuk ka përjetuar që nga fundi i viteve 1940 ndonjë grusht shteti apo trazira politike serioze. Pas një lufte civile që përfundoi me një kompromis, Kosta Rika miratoi një kushtetutë të re në vitin 1949.
Ajo e eliminoi ushtrinë e saj, hera e parë që në histori për një vend modern. Ai eksperiment prodhoi një politikë të jashtme të përkushtuar në mënyrë rigoroze ndaj diplomacisë, dhe i dha mundësi vendit t’i kanalizonte shpenzimet ushtarake në zhvillimin ekonomik dhe social. Sot PBB0ja për frymë është mbi 12.000 dollarë, shumë herë më e madhe sesa fqinji i saj verior Nikaragua.
Lihtenshtajni
Ndodhet në rajonin alpin midis Austrisë dhe Zvicrës, dhe e ka shpallur pavarësinë që në vitin 1866. Ky vend shumë i vogël, nuk ka burime natyrore me vlerë, shumë pak bujqësi dhe asnjë industri të rëndë. E megjithatë ka një ekonomi të fortë, të bazuar tek turizmi dhe sektori bankar.
Në vitin 2019 ky vend i vogël me rreth 38.000 banorë kishte një PBB prej mbi 6 miliardë dollarësh ose 175.000 dollarë për frymë. Lihtenshtajni nuk ka ushtri po vetëm një forcë policore. Ushtria e tij u shpërbë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë.
Monako
Principata është e famshme për luksin e saj përgjatë Rivierës Franceze, me shumë resorte dhe kazino. Monako është si një magnet për të pasurit. Të ardhurat për frymë këtu janë 173.000 dollarë. Ky mini-shtet drejtohet nga një princ si dhe nga një Këshill Kombëtar. Monako ekziston prej 5 shekujsh, ndërsa në vitin 1861 siguroi sovranitetin e plotë. Nuk ka ushtri por vetëm një forcë të vogël policore, prej pak më shumë se 100 personash. Edhe pse është e trajnuar në stërvitje dhe taktika ushtarake, roli i saj është të mbrojë princin.
Islanda
Islanda u sundua për herë të parë nga vikingët në fundin e shekullit IX. Përgjatë historisë është pushtuar në fillim nga Norvegjia dhe më pas nga Danimarka. E rifitoi sovranitetin e saj në vitin 1944 si rezultat i Luftës së Dytë Botërore. Vendi u anëtarësua në NATO në vitin 1949 si një nga anëtarët themelues të saj.
Po çfarë kontributi jep në aleancë duke qenë se nuk ka një ushtri të mirëfilltë? Territori i saj përdoret si një bazë ushtarake, pasi gjendet në një pozitë shumë të rëndësishme strategjike midis Amerikës së Veriut dhe Evropës.
Panamaja
Ky vend ka pasur një rëndësi të veçantë për Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i shekullit XX-të. Deri në atë kohë, Panamaja ishte një territor që i përkiste Kolumbisë. Shtetet e Bashkuara donin të ndërtonin një kanal atje për të lidhur Oqeanin Paqësor me atë Atlantik. Kolumbia e refuzoi ofertën, ndaj të nxitur nga Shtetet e Bashkuara, revolucionarët në Panama shpallën pavarësinë në vitin 1903, dhe kanali nisi të ndërtohet shumë shpejt.
Historia e Panamasë gjatë shekullit XX-të ka qenë kaotike. Trazirat civile dhe grushtet e shtetit, sollën në shumë raste ndërhyrjen e SHBA-së, ndërsa vendi luhatej midis demokracisë dhe diktaturës ushtarake. I fundit nga këta diktatorë ishte Manuel Noriega, i njohur për manipulimin e zgjedhjeve, korrupsionin dhe përfshirjen në trafikun drogës.
Shtetet e Bashkuara e pushtuan vendin dhe e përmbysën qeverinë e tij në vitin 1989. Qeveria e re e shpërndau ushtrinë në vitin 1994. Sot Panamaja e ruan rendin përmes Policisë Kombëtare të Panamasë (PNP), e cila ka disa njësi paraushtarake. Që nga eliminimi i ushtrisë, Panamaja nuk ka përjetuar asnjë grusht shteti.
Marrë me shkurtime nga Grunge – Bota.al