Mojtaba Khamenei, djali i Ayatollah Ali Khameneit, i cili u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite, është zgjedhur si pasuesi i tij. Për dallim nga i ati, 56-vjeçari ka mbajtur kryesisht një profil të ulët publik.
Ai nuk ka mbajtur kurrë poste qeveritare, as nuk ka mbajtur fjalime apo intervista publike, ndërsa numri i fotografive dhe videove të tij mbetet mjaft i kufizuar. Megjithatë, prej vitesh ka pasur thashetheme se ai kishte ndikim të konsiderueshëm në prapaskenat e Iranit.
Raportet zyrtare diplomatike amerikane të publikuara nga WikiLeaks në fund të viteve 2000, e përshkruanin atë si “fuqinë pas mantelit”, i cili shihej si një figurë e aftë dhe e vendosur brenda regjimit.
Përzgjedhja e tij mund të rezultojë sërish kontradiktore. Republika Islamike u themelua në vitin 1979 mbi parimin se udhëheqësi suprem duhet të zgjidhet për statusin e tij fetar dhe udhëheqjen e dëshmuar, e jo përmes trashëgimisë familjare.
Gjatë sundimit të tij, Ali Khamenei kishte folur vetëm në parim për pasardhësin e tij, madje një anëtar i Asamblesë së Ekspertëve kishte deklaruar se ai e kundërshtonte idenë që i biri të ishte kandidat. Mojtaba ka lindur në vitin 1969 dhe është fëmija i dytë i gjashtë fëmijëve të ish-udhëheqësit. Ai ka shërbyer për periudha të shkurtra në ushtri gjatë luftës Iran-Irak, konflikt ky që rriti dyshimet e regjimit ndaj Perëndimit.
Në aspektin fetar, Mojtaba filloi studimet teologjike në Qom në moshën 30-vjeçare, gjë që konsiderohet e vonshme për traditën e tyre. Deri vonë ai gëzonte një gradë të mesme klerike, çka mund të jetë pengesë për pranimin e plotë të tij.
Megjithatë, media dhe zyrtarë të afërt me pushtetin kanë filluar t’i referohen me titullin “Ayatollah” për të rritur autoritetin e tij, ashtu siç u veprua edhe me të atin në vitin 1989. Emri i tij u bë i njohur për publikun gjatë zgjedhjeve të vitit 2005, ku u akuzua nga kandidatët reformistë për ndërhyrje në votime përmes Gardës Revolucionare dhe milicisë Basij për të ndihmuar fitoren e Mahmoud Ahmadinejadit.
Akuzat u përsëritën edhe në vitin 2009, kur rizgjedhja e Ahmadinejadit shkaktoi protesta masive të njohura si “Lëvizja e Gjelbër”.
Shumë protestues kundërshtonin hapur idenë që Mojtaba të pasonte të atin. Si udhëheqës i ri i Iranit, pritet që ai të vazhdojë politikat e ashpra. Duke qenë se ka humbur babanë, nënën dhe bashkëshorten nga sulmet amerikano-izraelite, besohet se ai nuk do t’i nënshtrohet presionit perëndimor.
Sidoqoftë, ai përballet me detyrën e vështirë për të siguruar mbijetesën e Republikës Islamike në një kohë shkatërrimi ekonomik dhe pakënaqësie publike. Tashmë ai është një njeri i shënjestruar; ministri izraelit i mbrojtjes ka deklaruar javën e kaluar se kushdo që pason Ali Khamenein do të jetë një objektiv i padiskutueshëm për eliminim.
