Atalanta është në prag të një tjetër finale europiane, pas suksesit të tyre në Europa League ku triumfuan ndaj Bayer Leverkusen. Këtë herë, bergamaskët do të ndeshen me gjigantët e Real Madridit në SuperKupën e Europës, një sfidë që premton të jetë një test i vërtetë për skuadrën e Bergamos.
Ademola Lookman, sulmuesi i Atalantës, është i bindur se skuadra e tij ka mentalitetin e nevojshëm për të përballuar këtë ndeshje të rëndësishme. Ai shprehu besimin e tij në forcën e ekipit, duke theksuar se ndonëse disa lojtarë të rëndësishëm janë jashtë për shkak të lëndimeve dhe arsyeve të tjera, Atalanta është e gatshme të përballet me çdo sfidë që i del përpara.
“Jemi gati për nesër, jemi krenarë dhe të lumtur që luajmë një tjetër finale pas fitores 3-0 ndaj Bayer Leverkusen. Jemi të emocionuar nga ideja për të luajtur këtë ndeshje, është e qartë se na mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por ne kemi mentalitetin e duhur për ta përballuar këtë ndeshje edhe pa shumë lojtarë që janë jashtë. Jemi mësuar të luajmë kundër skuadrave të mëdha në të kaluarën dhe besoj se do të japim më të mirën tonë,” tha Lookman.
Atalanta është e vendosur të japë gjithçka për të sfiduar Real Madridin dhe për të shkruar një kapitull të ri në historinë e saj europiane. Ndeshja Real Madrid- Atalanta zhvillohet më 14 gusht nga ora 21:00 në Varshavë./UBTNews/